Mos ma zë diellin – Shqipe Bytyqi
MOS MA ZË DIELLIN!
Aty më dëshiron,
në korin e madh të vartësve
që mprehin penat dhe kordat e zërit
simfonisë tënde një penë, një zë më shumë
gjersa mes nesh koha ikën
e kur unë t’keqen refuzoj
dhe mbi unin ngritem
shoh si geni t’njëjtën rrugë bën
peshku që ujrat shkyen
zogu, ajritë
e kështu si unë e ti, dy sojesh
historitë i shkruajnë…
Vetëm një dua:
Mos ma zë diellin,
i kishte thënë Diogjeni Lekës Madh!
Unë vazhdoj
krahas pallateve tua, kulla t’ndërtoj
pa bërryla, pa zilka karnevali
ku një ditë do dalë tym i kumtit bardhë
Ishin të gjitha pushtetet
që ma mbuluan të epërmen me flori
e kur i refuzova,
ma vranë
pashë libra si digjen,
pena si ndiqen…
Të krijosh është njëjtë,
si të ndjekësh një fije të hollë
që ti veç neuroneve e sheh
Eshtë liri mendimi, ide e ngjizur
që furtunave krejt natyrshëm mëson
si atyre shtigjeve të gjata
qetë-qetë të hapërojë
Mos ma zë diellin!
ShB