Shkruar në mesnatë – Sokrat Habilaj
Sugjeruar nga Xheva Salihaj
SHKRUAR NË MESNATË
Sonte mungesa ime, e kthyer në terr,
E mallin tënd e mbështjellë në frikë.
Ngrihesh, çelësin rrotullon dy herë,
Ja mbyllë shtegun dhe syrit magjik.
Ndoshta sonte ndihesh shumë grua,
E perdet i ulë, mos të të shoh njeri.
Mbushë dy gota, për vete dhe mua,
Krahun harkon në kolltukun përbri.
Mbase trishtohesh,mbase dhe qanë,
Kur krahu i shtrirë, këputet në mes.
Mbase më qorton:-Kur ishe pranë,
Pse nuk më mësove që të di të pres?
Ndoshta mendon një ëndërr të keqe,
Përgjumur, pranë një kolltuku bosh.
Se mos vijnë net, që do jesh e vetme,
Në një tjetër kohë, a në tjetër moshë?
Ndërsa e ke ditur, se të them çdo gjë,
Të mbajta të fshehur ca gjëra të tjera.
Ktheje kokën pas, do dëgjosh një zë,
Ç’të flisja për ndarjet!? Ja ku erdha!
Fluturat mbi fustan, harlisen me ojna,
Dhe ti mbi supe më mbështetë kokën.
Në shtrat të përtypë fjalë, a shkronja,
-I çmendur im, ke lënë hapur portën!
Sokrat Habilaj