Unë e ti – Muça Vladimir
Nga blloku i jetës gjimnaziste.
UNË E TI
Unë jam drita e diellit
Ti je hija ime,
Ti je lulja e erëshme
E unë bleta,
Ti je reja e ngarkuar
E unë shiu i syve të mi.
KUJTIMI I SAJË
Ajo jeton në zemrën time
Si një cifël e xhamtë,
Gërvin në shpirt
Çdo minutë,
Çdo orë,
Çdo ditë.
KUJTIMET
Kujtimet ku janë futur
Marrin arratinë
Në qiellin e pa anë,
Ndjenja më vjen si flutur
E shpirtin gjallë ma mban.
E prap kujtimet ikin
Si zogjtë kur zënë shirat,
Lenë pas retë e trishtimit.
KOMPOZIM
Muzika e erës së lulëve
Mbi supet tanë
Kompozonte pranverën e dashurisë,
Kur shikimet derdheshin
Si rëra në klepsidër,
E koha fluronte
Si dritë e mëngjesit.
NDRYSHE
Ti si erë
E unë si re,
Ndoshta s’do puqemi kurrë;
Aherë s’do lëshojnë lot sytë e mijë
Por lot do lëshojë qielli.
DHE NJË ÇAST
Dhe një çast,
Kur dyshimet e grindjet
U zgjuan në takim,
Si mjegull sterrë
Ranë mbi ne.
PËRTEJ SYVE
Shok, mik, zonjusha ime
Vështromë thellë sytë e mi,
Atje, në fundo
Si perlë është shpirti im.
KUR U NDAMË
Kur u ndamë
Një hon u gremis
Në një hon tjetër,
Mes zhurmërimëve të fjalëve të tua,
Valët e lumit të shikimëve
Më përmbytën mua.
Nga libri”Mbi flatra vargjesh”