Lisat janë lisa – Myrteza Mara
Lisat janë lisa
Në një pyll nuk janë të gjithë lisa,
Por edhe lisat nuk jetojnë dot vetëm
Ka shkurre, bar, ferra dhe driza
Ka edhe minj që ndjejnë tërmetet.
Ashtu siç nuk shkëlqen qiellit një yll,
Nëse pranë nuk do kishte një tjetër,
Ashtu dhe gjethet e drurëve në pyll
Nuk do vishen me vello të gjelbër.
Por lisat janë lisa, me fron e kurorë
Janë shkallë që të afrojnë me qiellin
Në degët e tyre zogjtë si në kor
Mbi dy lisa ngrihet një urë ylberi.
Nuk bjen kurrë rrufetë mbi shkurre,
Lisat dëshmorë, ata dhe heronj
Kulprat që dinë vetëm të mburren
Shpinën e lisave grricin me thonjë.
Por lavdia do themel, ajo do rrënjë,
Plagjiaturat nuk janë shembëlltyra
Për lisat thuren e këndohen këngë
Me lisat krenohet dhe vetë natyra.
Lisat në llogore, ata edhe simbol
Zemrën e lisit-zemër gjithë jetën
Ata për shtrat, ata dhe arkivol
Lisat-frymëzimi edhe për poetët.
***
Në një pyll nuk janë të gjithë lisa,
Dëgjoni ju shkurre, ju kulpra parazite!
Për erërat ciklone lisat bëhen diga,
Për nderin e pyllit të parët ata digjen.