Më vjen si Hyjneshë – Kujtim Hajdari
MË VJEN SI NJË HYJNESHË
Më vjen kaq e qeshur si vjen një hyjneshë,
Me hënën në ballë dhe yjet në flokë,
Të përkëdhel pranvera dhe ëmbël të qesh,
Si lulet e saja që s’maten në tokë.
Kur shoh sytë e tu si prushi, të ndritur,
Për mua në botë zhduket çdo vegim,
Dhe dielli më duket i largët, i fikur,
Dhe pse është i bukur, larë në shkëlqim.
Ditët marrin jetë nga rrezet e tua,
Dhe zemra agimet m’i ndez nëpër maja,
Buzëqeshjet plot dritë kur m’thua “të dua”
Pranverës ja ndezin gjithë ngjyrat e saja.
Dashuria krahët i hap të fluturojë,
Me ëndrrat e jetës shpirtërat rrezaton,
Me dashurinë tonë që kemi mburojë,
Koha lumturinë çel e zbukuron.
KUJTIM HAJDARI