Laramania – Sevdail Hyseni
Satirike
LARAMANIA
Një fushë me qenë
Mblidhen n’Kuvend,
T’u shpallin luftë
Ujqërve me gjithë mend!
Me mend e me forcë
Në një stil qenqe,
T’i fusin të gjallë
N’gropa e hendeqe!
Ujku nga kodrina
I pa me trishtim,
Kthehet t’i njoftoj
Ujqërit me nxitim!
O vëllezër mbaruam
Nga qentë endacakë,
E pat puna jonë
Jemi fare pak!
Ujku plak u ngrit
Na çmende o mik,
Dil e shih si duken
Mos përhap panik!
Doli dhe njëherë
Çfarë t’i shohin sytë?
Një orgji me qenë
Lloj-lloj e çeshit-çeshit!
Qenë të zi e të kuqë
Të bardhë e laramanë,
Bishtcubel e veshprerë
Që lypin belanë!
Vëren dhe të tjerë
Langonj e zagarë,
Llaskuc dhe zangoqë
Tepër të paparë!
Kthehet me vrap
Te të afërmit e tij,
T’u tregoj me rend
Ç’kish parë me sy!
Mirë na qenka puna
Tha ujku qafëtrashë,
Për t’fituar luftën
Nuk kemi telash!
Ata kur plas lufta
Bëhen copë e thërrime,
S’e njohin njëri tjetrin
Nuk janë të një qime!