Profeti dardan (Ibrahim Rugovës) – Anton Marku
PROFETI DARDAN
(Ibrahim Rugovës)
Nga libri ”Ishujt e Jetës” (2018)
Thonë se:
kur linde ti
vetëtoi tërë ditën
kosarët endeshin fushave
mjegulla kishte zbritur prrojeve
kohë e gjatë kishte kaluar
pa reshje
të mbështollën
me shallin e bardhë të gjyshit
të djegur në tre vende
tek koka të vunë
një libër të moçëm
mbi të ca gurë
me dashurinë për fjalën
u burrërove
dhe një ditë u nise
rrugës nga s’i kishte rënë askush
asnjë pritë nuk ta dridhi hapin
as kur rreth teje djersiteshin hijet
me thika nën mëngë
Bota dëgjoi për ty
atëherë kur shekulli nuk deshi
të mbyllë sytë
pa të të vënë në sprovë
durimin. Urtinë.
Dyert e rënda i hape
për të bërë miq për popullin tënd
një shpirt i madh jetoi në ty
pate shumë ëndrra
por vetëm njërës
i besove deri në fund
se prapë, si dikur motit,
Profetët do të shëtitën Dardanisë
me duar të bashkuara
në uratë shqip
besën i dhe vetes se nuk do shkoje
pa e jetuar së paku një mëngjes lirie
kur tha i Madhi
qielli të ftoi
Lart. Afër Tij.
T’i hodhe petkat krahëve
dhe ike andej
të takosh të parët
miliona qirinj u ndezën për ty
qirinjtë ë dritës, me emrin tënd.
Anton Marku ,Austri