Mërmëritje – Puntorie Muça Ziba
VARGU IM NDRYSHE,
e shkruar në vitin 2010⚡️
#MËRMËRITJE
Ti më njohe nëpër vite
isha poete qëndisja vargje,
tepër boheme kjo puna jote
m’thanë mediokrët nëpër lagje.
Eh, më kërkoje nëpër stinë
ne mbetëm larg, sa larg
na ra mbi kokë korba vdekje
e gjora unë, fleja mbi varg.
I hodhe sytë n’mollëzën kërcyer
përplot nur hëne,stolis me germa.
Deshta të tretem në gishtërinjë
e ta lë vargun pashkruar.
Ah, kisha mall e prush në gji
kur më endeshe nëpër sy…
Ti më vështroje nëpër vite
isha venitur brenda në varg
na ra mbi kokë korba vdekje
e, ne rrinim larg e larg…
S’doje të vrasësh dorën e muzës
t’dukej mëkat njajo dashni.
Tani resh borë n’balluke t’ballit
sa larg më rri faqja e hënës,
zhubravis flokun e barit vjeshtës
në vargjet e gjata të ditëve t’mugëta
numëroj petalet e luleve t’ bjeshkës.
Loja me shkronja s’po mbaron kurrë
n’petale vargjesh shndrit si rubin,
eh, syri i qiellit nga marazi
ngadalë e humb kaltërsinë.