Horizonte të mjegullta – Xheladin A. Çitaku
HORIZONTE TË MJEGULLTA
*
Çakejtë e përhershëm veshur në gzofe të civilizimit
dhëmbët tregojnë kësulave që rrugëtuan në lashtësi
noçka stepash u servojnë për tipare të fytyrëzimit,
fytyrat e maskuara pshtirshëm, lozin tragjikomedi.
*
Shpirtërat, të nxirë në bloza barbarie të skëterrës
ngarendin shtigjeve të baltosura të mendësisë plakë
trillime marrëzish shpërfaqen në pasqyrën e mnerës
shpërndarë në kuadrate gënjeshtrash, vartësve guak.
*
Kaposh të joshur në margaritarë shkëlqimi të paqenë
ushqehen vullnetshëm në guzhina të talljes sarkastike
tundohen racionesh boshësie, që dhurojnë gangrenë
përtypin padenjësisht zvarritjen, në shujta tragjike.
*
Vrragë shekujsh vijzuan sinorë, të ngulitur egërsisht
ngritën piramida shëmtishë nëpër trollin e përcëlluar
marangozë inkuizitësh projektojnë murana pabesisht
me hostenët gjëmbaç, pudrosin si lustër të qytetëruar.
*
Kmesë e mprehur e të djeshmes qëndron mbi kokë
si erashkë e pëflakur veset e pashitura i ripërtrinë
hipokrizi përdredhëse qëndisë mashtrimet në tokë
në skica monstruoze, pamëshirshëm shtytë bisturinë…
xheçi
30.03.2020