Prelud për nënën – Hasan Qyqalla
PRELUD PËR NËNËN
Do vijë prapë fushës me bar të thatë,
në shtëpinë që e mbushje plot zemër,
tani e tëra është kthyer në llum e baltë
se s’ka kush të flet më, o nënë, në emër.
Do vij prapë shtegut, tymnajës së agut,
të takojë vuajtjet e tua ku më rrite, o Nënë
të derdh lotët e mi si vesë prilli pas pragut
të ndërrojë ca llafe, me të ndritshmen Hënë.
De sot flas me Hënën si të ish motra jote,
e letër i shkrova Zotit për bekim,
veç mos më thuaj se s’ka mbërritur tek Ti
zëri im i huaj në mërgim zë jetim.
Do vijë prapë, kur të nisë i mugët-shtatori,
me ethe e dhembje në kasollen e vjetër,
në kodrën e hidhur, aty ku ra dhe meteori,
dhe engjëjt të përcollën në botën tjetër.
Nuk dua ta prek TESTAMENTIN, o Nënë
na deshe, të deshëm o e jona Hyjnore,
sa prehje e rrëfime, … na mbetën pa të thënë
o heroina jonë! O Mbretëresha Malësore!
… Do vijë prapë me shpresë luadhit të njomë
tek varri yt të kërkojë njëmijë e një falje,
me kurora lulesh që do derdhin kjomë
që ty prap të sjellim me frymë në (ri)ngjallje…!
Do të vijë, o Nënë! Për flladin e vjeshtës,
aty majë kodrës ku deshe të prehesh vetë,
Të ndjehem që kam vendlindje dhe rrënjë
të ndjehem njëherësh foshnjë dhe mbret…
Hasan Qyqalla