Në shpirtin tim ka mbirë ngricë – Dhimiter Nica
NË SHPIRTIN TIM KA MBIRË NGRICË
Është dimër.Jashtë ka rënë borë,
kallkanët si krehër varen nëpër strehë,
era e marrë ulërin si ulkonjë,
zogjtë e strukur po dridhen në fole.
Shtëpia përdhese zhytur në të bardha,
dyert plasaritur, diku xhama thyer,
përgjumur fëmijët,gënjyer me përralla,
përsëri pa darkë, ranë dhe këtë herë!…
Mëngjesin tjetër do të jap qeranë,
dy vjet po sorrollatem, s’di nga t’ia mbaj,
kudo shkoj e kthehem, kam gjetur belanë
të shitem dhe vet, s’më blejnë asnjë frangë!
Mos harroni njerëz, po përmbytet bota,
po për miliona që janë kështu si unë,
bota qënka mbytur,lutjet janë të kota,
njerëzit qenkan mbytur,jetojnë veç majmunë!
Marë nga libri Të gjitha lulet kanë emrin tënd…,Muzgu, Tiranë 2015.