Larg Atdheut – Lumni Nimani
Larg Atdheut
Atje ku leht retë borëbardha,
qiellin e kaltër butësisht miklojnë,
atje ku dielli dhe rrezet e arta.
T’bukurat lule me vesë përqafojnë.
Gjithandej, ku një fushë e blertë shtrohet,
e bilbili ia thotë këngës me plot gaz.
Prore më ikën kjo mendja ime,
atje më rri – dhe s’kthehet dot pas.
Atje ku lumi rrjedh i kulluar,
dhe i gurgullon e bukura valë,
pse të kam larg – s’të kam harruar;
– Unë të kam nënë – dhe më ke djalë.
Nganjëherë n’këtë botë na qenka jeta,
sa e padrejtë, po aq e pa mëshirë.
Sa keq po e ndaka të birin nga e ëma,
në dhe të huaj, hiç pa dëshirë.
Kur t’ia them unë këngës për ty,
mallëngjehet fort kjo zemra ime,
ndaj shpejt dhe loti më rrjedh në sy,
por s’e ndal dot këtë këngën time.
Sa herë që shoh unë dallëndyshën,
loti më ngrinë shpejt në qepallë,
seç ma kujton poet Shirokën,
ah sa shumë kishte për Shkodrën mall!
Kurdoherë, në një stinëverë,
unë do të kthehem tek ti fluturim,
dua të çmallem me ty përherë…
N’Atdhe të prehem – e jo n’mërgim!
Lumni Nimani
03 prill ’19
Straubing, Gjermani
