Nuse më dhanë robninë ! – Havzi Nela
NUSE MË DHANË ROBNINË !
Jo or jo, njizet vjet burg nuk u mjaftuen
S’u ngopën ushunjzat, xhelatët mendjemarrë;
Më ndoqën kamba-kambës, lakun ma shtrënguen
Më ndoqën gjithë jetën, pse jo deri në varr!
Ma hoqën përgjithmonë, të shtrenjtën, lirinë,
M’i hoqën të gjitha, kot kam mbetë i gjallë
Shtëpinë ma rrënuen, nuse m’dhanë robninë
M’lanë pa vajzë pa djalë, m’lanë të qaj me mall.
Gjithë jetën vetmue, larg prej njerzve t’mi
S’paç me kë lazdrohem, kujt t’ia them nji fjalë
Trup e shpirt plagosun, s’gjeta kurrë qetësi,
Sot në moshë të shkueme, maleve kam dalë.
Nëpër male t’Arrnit, pa anë e pa fund,
Në kto shkrepa e thepa që s’ke ku ve kambën
M’përplasën, më rrëzuen, ma randë se gjithkund,
Më rrëzuen mos me u çue, o Zot banu gjamën!
E prap s’kanë të nginjun, xhindosen kur m’shohin,
Thue se u zuna fronin, u prisha humorin,
Më vrejnë me inat e fort mirë më njohin,
Nuk më thyen kurrë, jetën krejt ma nxinë.
—
Havzi Nela
Arrën, tetor 1987