Horizonte të rrëzuara – Myrteza Mara
HORIZONTE TË RRËZUARA
Litarët e kambanave këputur, s’ka tinguj,
Erërat fishkëllejnë melodinë e ortekëve
Ajri dhe drita si heronj të lidhur
Në heshtje psallim himnet e vdekjeve.
Djajt vishen bukur, vezullim mëkati
Pikturojnë heroglifet e plagëve pa emër
Pikëpyetje të krrusura mbi eshtrat e fatit
Globi goditur me shigjetë në zemër.
Nën strehë dëshpërimi pikon dhimbja,
Trualli gropëzohet nga plumbat e lotëve
Tkurrur toka, ka frikë nga lindja
Kërrcasin meridianët e të dy botëve.
Ret’e trishtimit në shtegun e lamtumirës,
Bravat e ndryshkura kuisin si shpellë
Gjëmojnë dinosaurët në oda të greminës
Dhe ajrin dhe dritën ngjyrosin me të zezë.
Klithmojnë malet në humnera varrosur
Legjenda të vrara mbi lisat pa rrënjë
Horizonte të rrëzuara, shpres’ e plagosur
Kjo botë invalide, pa gaz e pa këngë!
Kjo luftë e egër me front e prapavijë
Armiku i maskuar, nuk është tabelë
E gjithë bota shndrruar në ushtri
Raketat dhe bombat nuk kanë vlerë.
Veç shpresa djersinë të pastroj diellin
Kjo botë do të marrë sërish frymë
Qiejt do të mbushen me harqe ylberi
Me çmim të shjtrenjtë paguajmë lirinë.
Dashuria për jetën e vetmja armë,
Armë e fuqishme që mund vdekjen
Njerëz! Do mësojmë nga ky alarm
Ta njohim e ta duam më shumë veten.