August 10, 2024

A i mban mend vitet tona, grua – Rifat Ismaili

Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

A I MBAN MEND, VITET TONA, GRUA?

A i mban mend vitet tona, grua
Rrodhën si bulëza uji në pasqyrë
Copëzat e portretit tënd ia mora hua
I mbylla marrëzisht brenda ndër sy…

A i mban mend fjalët ,kur të njoha?
Më pe ndër sy si drenushë e plagosur.
Me etje prej murgu çdo germë lexova
I dehur perpara librit tënd të shpalosur.

Sa shpejt rrodhën vitet një nga një
Dhe sa bukur e sa shumë u deshëm
Herë u puthëm mallshëm nën hënë
Herë – herë si tigrat u ndeshëm…

Më ke munduar grua, të kam munduar
Të largohesha prej teje doja sa më larg
Por ti si rrufe drejt zemrës më ke qëlluar
Dhe gjunjazi jam rrëzuar mbi prag…

Pastaj plagët e shpirtit më ke mjekuar
Duke më premtuar dashuri e mirëkuptim
Por kur në darkë paksa jam vonuar
Më ke sharë gjer në pambarim.

Po dhe unë nuk ta kam përtuar
Pritë të kam zënë të të kap në faj
Mëhallën me britma kam trembur e zgjuar
Të kam thënë s’bën për mua, do të ndaj.

Stuhi ishim në grindje por dhe dashuri
Dy zemra në një alibi të pathënë
Ti si një ditë vere kur papritmas bie shi
Dhe unë një ujk që skërmit nën hënë..

Të kam munduar dhe më ke munduar, grua
Por zemra na zbutej në çast me magji…
Në falje jam ulur gjunjazi në buzët e tua
Dhe ti me ke prekur me buzëqeshjen stoli.

A i mban mend, vitet tona, grua?
Rrodhën aq shpejt sa bëjmë çudi…
Si Diana ke ngulur shigjeten tek mua
Dhe une lotët e tu si manar kam pirë.

Kemi qeshur pafund dhe kemi sharë
Kemi ngrehur shpatat për dy luftim
Por pas çdo sulmi në paqe jemi ndarë
Dhe në shtrat çdo herë kemi bërë çarmatim.

Për dashuri të përjetshme jemi betuar
Kemi mallkuar për ditën që u pamë
Por vitet ikën fshehtas si zogj të hutuar
Dhe ne pafajshëm mes tyre veten lamë.

Rifat Ismaili- 6- 4-2020

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com