Kur loti s’ndalet – Lumni Nimani
Kur loti s’ndalet
Sa herë lind rrezja e parë
N’ag t’mëngjesit në pranverë
I gëzon të gjithë gjënë e gjallë
Përveç mua t’gjorit, t’mjerë.
Gëzon fushat e gëzon malin
E atë bylbyl që n’degë këndon
Gëzon vashën bashkë me djalin
Por vetëm mua më harron…
Kur dëgjoj atë zë të bylbylit
Kur ja thot ai i bukuri shpend
I gëzon petalet dhe trëndafilit
Shpirti më qanë për timin vend.
Dielli i ngrohtë kur del mbi mal
Lëshon rreze në det e n’fushë
Nga mall i rënd për ty që kam
Të dy sytë lot më jan mbushë.
Sa shumë stinë e sa shumë mote
E netë pa gjumë unë kam kaluar
Nga dhimbja për ty o Nënëloke
Në mërgim i tretur dhe i harruar.
Një Nostalgji e ditëve të mira
Më mbërthen më kaplon fare
Të jem atje më mbytë dëshira
Në prehrin tënd o Tokë shqiptare.
N’at det tëndin të kthjelltë si loti
Me ato valë t’bardha tallaz – tallaz
Bukuritë pa fund që t’i fali Zoti
T’i shijoj, se më mbyti ky maraz.
Vitet më të mira në jetë m’i treti
M’i shkriu, m’i thau, siç dielli vesën.
Kush tjetër?! – pos i ziu kurbeti…
Por t’fortë prore e kam shpresën.
Se një ditë atje do të kthehem
Si dallëndyshe me plot gëzim
Deri n’amshim aty të prehem
Të marr rrugën që s’ka më kthim.
E nëse jeta më jep premtimin
Të shkoj atje ku zemra më do
N’Revuçë t’kënaqem në Llap timin
E t’i them shpirtit i lirë fluturo.
Malli i Atdheut po e ligëka burrin
Po e thaka edhe lisin atje në mal
Me vajë po bëka edhe gur e drurin.
_______________________________
Shqipëria ime, ty të qofsha falë!
Lumni Nimani
15. prill, 2020.
Straubing