August 7, 2024
Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

I marre

Më kanë quajtur të marrë kur atë natë e kalova në mes shiut të egër, i etur për të ftohtin që më shkonte gjer në palcë në kërkim të vetvetes së humbur.
Më quajti të marrë dhe qeshi me mua, qeshi aq fort lypësi që fle në cepin e rrugicës sepse në vënd të një qindarke i fala një kartëmonedhe të fundit që kisha dhe ika i uritur. Më quajti të marrë edhe i marri i qytetit ndërsa i hidhja krahëve pallton time të leshtë dhe vetë u largova me një këmishë të hollë, dimrit të egër. Më pa dhe heshti, heshti fëmija kur më pa tek këndoja në trotuarin e lagur pasi më kishin sharë vetë prindërit e tij.
Më quajtën të egër kur përpiqeshin të shuanin shpirtin tim në flakët e lakmisë, por s’mundën.
Më quajtën të marrë dhe buzëqeshi egër ndërsa flokët ia merrte era e lindjes ndërkohë që unë prisja i qetë dhe i lumtur sepse askush si unë s’ishte puthur me perëndimin. Më quajtën të marrë dhe harruan se dashuria që më morën s’ishte veçse dega e tharë e një peme që rrënjët i kishte në zemrën time, në zemrën time të marrosur nga dashuria. Më quajtën të marrë kur këndova ndërsa të tjerët qanin, kur qesha ndërsa të tjerët më fshikullonin me kamzhikun e mosmirënjohjes, të cmirës.
Oh sa qesha nga dhimbja!
Më quajtën të marrë vetë të marrët, pasanikët që vuajnë për paranë, të eturit që luajnë me ujin, të uriturit që kurrë nuk u ngopën. Më quajte të marrë edhe ti.
Ti kot më quajte të marrë.
(Epos Blue)
Cim Bacova

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com