Eja flutur – Jusuf Zenunaj
EJA FLUTUR
Rrethas kopshtit sillesh
në të ke frikë me hy,
kur të lodhesh në mes lulesh
eja pusho në krahët e mi !
Bashkë shkojmë te burimi
etjen shuajmë në Dri.
Rrethas kopshtit sillesh,
si rreze përvidhesh
mbas degëve të blirit;
ku nuk të kapë syri,
këpus gjethe lisash
me to nxjerr melodi
si dikur barinjtë,
kur i thërrisnin të dashurat
për takim të ri.
J.Z., Dilbeek, më shkurt 2020
KUR T’ I BIE TERRI TOKËS
Si flladi i lehtë mes grykash
me cicërimat e zogjve në vërri,
zëri yt më vjen prej së largu,
ti s’më pret, po unë, do të vij
derisa të agojë dita të rri me ty.
S’më ndalë stuhi , as natë,
as përroi në Lugun e Gatë.
Ata sy si rrushi,
të zjarrtë si prushi,
nën dritën e hënës t’i puthi.
J.Z., Dilbeek, më 2 shkurt 2020
KUR ISHIM TEK LUMI
Kur ishim tek lumi,
rrëzê Ujëvarës ,
tek Drini,
uji i ftohtë- akull
duart m’ i skuqi,
këmbët m’i nxini.
S’e di në ishin ngjyrat e ylberit
apo binte shi,
kur më dridhej buza
zemra fort të rrihte, ty !
J.Z , më 12 shtator 2019
DRITHËRIMA VJEN NGA DURRËSI
Përplasen ëndrrat shkëmbinjeve buzëdeti,
në mes të sotmes e së nesërmes njê shkëndijë
ndez shpresat e humbura për ardhjen e anijes
ngarkuar me mallengjimin e kohërave të harruara.
Nata e dita shpindërrohen pa zhurmë
si grepi i peshkatarit nê gojën e peshkut fatzi.
Valët thyhen në bregun e vetmuar,
në kthim shpërlajnë pa mëshirë
gjurmët e mbuluara nga terri.
Dritërima që vjen nga Durrësi
një hije të mbështetur për shkëmbi
nuk arrin t’ia zbuloi dot natës.