Ndjenjë djaloshare – Astrit Bulla
NDJENJË DJALOSHARE
Më erdhe përsëri, o ndjenjë djaloshare,
tani, kur në çdo skaj, planeti po fle gjumë,
është pranverë e hidhur,vetëm hi, s’ka varre,
edhe sot, si atëherë, gjaku më vlon lumë…
Sot, botën e shoh me sy pjekurie,
çdo ditë më pak njerëz, në rrugë po shikoj,
edhe ata pak, janë me maska mërzie,
në fytyra të mbuluara vetëm sytë dalloj…
Sa larg shohin sytë! Maska pa fytyrë.
Edhe sot njësoj janë, maska si ishin dje,
pranvera e sivjetshme nuk ka asnjë ngjyrë,
nuk ka as fustane, nuk është më si dje….
Nuk të lenë të dalësh, vendim qeverie,
pa maskë, pa doreza, nuk mund të dalësh fare,
me mund po kapërcehet, sot, një prag shtëpie,
veç nuk ndalohet kurrë një ndjenjë djaloshare….
TITI….