Bluzat e bardha – Armata e Lavdisë – Kujtim Hajdari
BLUZAT E BARDHA – ARMATA E LAVDISË
Përbindshi Covid kërcet dhëmbët kudo si djall i çmendur,
Ju, me virusin e pamëshirshëm përkrah, me virusin përballë,
Marshoni këto kohë si në legjendat mitike, të patrembur,
Si të lindur nga epika heroike, si dikur trimat e rrallë.
Dhe pse nata mbuloi me mistere dhe ditën me diell,
Dhe zemrat na i bëri akull si në Alaskën e ngrirë,
Botën e bëri të mbyllej me frikën e vdekjen që mbjell,
Ju, armata e lavdisë, po shkruani sot historinë e vështirë.
Përkundni në duart tuaja dhimbjen e madhe njeri,
Me djersën e nxehtë të ballit, çdo sekond, vaditni shpresën,
Dhe nata dhe dita, për ju, nuk kanë më asnjë limit e kufi,
Kur mijëra sy ju shohin si perëndi, ju falen e ju luten për jetën.
Nuk matni më kohën, këto ditë, as me numra e as me orë,
Punën vazhdoni papushim, si heronj, deri në limitet e fuqisë,
Qindra që presin jashtë në shtretër e të tjerë në aspiratorë,
U kthyet në dragonj të kohës, harruat veten e hallet e shtëpisë.
Përtej xhamave ku edhe rrezet e diellit shfaqen me frikë,
U vjen imazhi i fëmijëve që ju presin, që ju mungojnë aq shumë,
Si një zog që rreh krahët në dritare e largohet me vërtik,
Zëri i dhembshur i prindërve të dashur, që vetmia i përhumb.
Në rrezen e pranverës që puth lulet përtej, jashtë në pemë,
U shfaqet buzëqeshja e të dashurit a të dashurës që ju pret,
Për një çast sikur u ikën lodhja dhe pse peshon aq rëndë,
Por këto, si në film ikin e ktheheni në punën që ju thërret.
Dëshira e madhe na rrëmben dhe neve t’ju gjendemi pranë,
Të marrim diçka nga lodhja juaj, t’ju themi fjalë të ngrohta,
Por të burgosur në shtëpi, pa asnjë faj, ligjet e këtij virusi, na lanë,
Dhe ne ju ndjekim juve, heronjtë tanë, vetëm nga ekranet e ftohta.
Me dëshpërim e dhimbje kur përcillni çdo kufomë që shkon,
Duke ngrënë veten me dhëmbë që s’arritët ta shpëtonit dot,
Shpesh ndonjë shokun tuaj, që virusi nëpër duar ua gllabëron,
Kur përcillni me zemrën e copëtuar e me të hidhurin lot.
Ju varrin ja mban hapur Covid nëntëmbëdhjetë, por ju s’e përfillni,
Luftoni fytas, me bulëzat e djersës që ju zbukurojne ballin,
Vini ndërkëmbë përbindshin, dhe njerëzve shpresën u mbillni,
Emri juaj – shkruar në çdo zemër njeriu me dhimbjen dhe mallin.
KUJTIM HAJDARI