Si në treg plaçkash – Ulku Bardh
SI NË TREG PLAÇKASH
(si në hajvan-pazar)
Si në treg plaçkash të mbajtura
Shëtiten lirshëm dhe sallamadi
Xhambazët edhe tuxharët
Gjuetarë shtrigash, hordhi…
Njërët matin me kut…
Të tjerët shënojnë me çetele
Ka dhe të tillë makutë
Që presin me këmbesë
Edhe kokë njeriu për dele
Mjerrë, o mjerrë shqiptarët
Që lypin… e vetë s’kanë besë!?
A thirren përherë tek të parët
Po emri shqiptar kurrë s’do vdesë.
Lejojnë për vete përdhosenjen
Nga lloje e soje sulltanësh
E në këtë treg plaçkash gri
Allishverishin e bëjnë gabelët
Edhe për desh ngjyrosjen
A për dele me bojë kurbanesh,
Për pashkë dhe bajram, safi!
Net shtrigash si gjithmonë,
Po të kurdisen, o vendi im!
Dhe i yti pas shpine të shpon
Po të ngulet kama me nxitim
Prej trishtimit tënd lebetitem
Nuk më bie më as në mend
ishte këngë kjo që po kumbon
A veshët zhurma m’i shurdhon
Apo nëma, ajo nëmë-zeza
Qëmoti Bjeshkëve të Namuna
Përjetë neve po na mallkon?!
Oh, sa më shtohet kjo kollë e thatë
Që nuk ma pati as mëmë as tatë.
Ti po lëngon dhe pak si gjatë
Si i pushtuar edhe si më vete
Edhe diagnozën tënde
Specialistët e jashtëm,
Me asistentë të brendshëm
Tashmë ta kanë përcaktuar
Etshëm një kollë të thatë
Jo jo, mjekë as kirurgë..!
Por bujq e pylltarë…
Që shkurtojnë me sopatë
Brenojnë me pendë qe
E shpojnë me tërfurq…
Junançe, serbistanë e turq
Dhe narkoza nga Vlladivostok
Rusë e arabistanë me shokë
Mbase shërimin tënd
Ata e shohin prore
Në prerje organesh…
Sikur të ishte një zorë qorre
Ndonëse për ty janë jetësore
Dhe po të bëhet bile koxha nder
Lutje të bëjnë njerëzia
Pa dallim në kisha e xhamia
Nga rite muslimanësh
Edhe të krishterësh
Që sa më shpejt edhe ti
Të bëhesh pre hienash.
Epo më thuaj lalë, më thuaj!
Se, e kam me gjithë mend,
Nuk druhem e as nuk luaj
Po ti bërtit bre ose qit një zë!
A mund të durohet e lejohet kjo më?
A ka më të poshtër se kjo gjë
Që është dhe kaq mizore?
Sesa tradhëtia njerëzore…
Jo nuk ka, nuk ka oré..!
© Ulku