August 28, 2024

Baladë për veten dhe Prometeun – Puntorie Muça Ziba

Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

Janar, 1977

BALADË PËR VETEN DHE PROMETEUN

Unë rri e pres si zog ferre
kur të tjerët duan t’na fikin diellin.

Këtë pasdarke dimri,
derisa bora zë borën e thatë
unë gjorqinakja
me gishtërinj mëndafshi
fije-fije
thuri jelekun e kuq.

Eja Promete
më sill ajër
nga dheu i shkriftuar
se do të them mirëserdhe
e me ujë krojesh
në legen do t’i laj këmbë e duar,
do të pjek zog në hell
do të gatuaj bukë ndormë,
dhe pasdarke të fluturojmë
përtej përvidhjes,
derisa të rigojnë sysh
lot trëndafilash.

Unë pres si zog ferre
kur tjerët duan t’na goditin kurmin.

Këtë pasdarke dimri,
derisa bora zë borën
unë gjorqinakja
pres të më vish
e të vdesësh
ngadalë,
thërrmijëza-thërrmijëza
tue lëmuar
ballin e djersitur,
tue dëgjuar baladën
që e shkruajta me gishta në ajër.

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com