Peisazh myzeqar – Fatmir Gjata
Peisazh myzeqar
Vrapojnë mijra zana në arat me grurë,
me flokë të artë
Nuk di si u shfaqën edhe kush i pat prurë
e di Zoti lartë
E qeshin e lozin fëmijshëm në rreth,
magjishëm bashkuar
Mbajnë veshje qëndisur me fill gjak të kuq,
dhe kallëza në duar
Këndojnë këngë nën zë për trima të bukur,
për zogj në pranverë
Për lumë e për det të mbushur me shkumë,
për fllad e për erë
Për dhimbje e plagë e lot të pa rrjedhur,
për dasma pa nisur
Për shtriga, poetë, shenjtorë plot mëkate
me rrobë të grisur
Për pluhur të ngrirë gjymtyrësh në pezm,
përzier me baltë
Pastaj mernin valle në fushë të pafund
me hap të ngadaltë
Gjersa ranë kambanat sipër manastirit
u fshehën s’di ku
E diell u rrëzua tutje në Ndërnënas
këndojnë guguftu…
Fatmir R Gjata