Nganjëherë mendojmë se kemi edhe një kohë tjetër për prindërit – Bedri Zenel Islami
Nga Bedri Zenel Islami
Nganjëherë mendojmë se kemi edhe
një kohë tjetër për prindërit
loti i hënës rrjedh nëpër duart e erërave
dhe çel në muzg harresën tonë…
trëndafili i bardhë na mbetet në duar,
i harruam ditëlindjet e tyre,
shishet e verës të pahapura
si mjegullat rënkuar nën dëborë,
shalli i zi hedhur mbi supet
e viteve po zbardhet…
bëhemi të largët dhe presim një ditë tjetër
një tjetër krishtlindje,
tretet në kujtesën tonë pritja dhe ankthi i tyre
për vonesën tonë,
këputet pika e lotit nën një çati malli
si jargavanët në oborrin e vjetër
ndërsa nënat presin….
Vetëm kur ikin,
si mijra dashuri të trëndafilta,
rënkojmë nga dhimbja
dhe
thërrasim emrat e tyre…
Na përgjigjen erërat,
lëvizin mbi pëllëmbën e harresës sonë…
është vonë, na thonë,
tepër vonë…