Martirët e Lirisë – Skënder Guma
Martirët e Lirisë
Një brazdë argjendi pluguar qiellin
supersoniku ajror pas e la
flurudhën në sfond përtej lapidarit
e përflaku perënduar dielli që ra
Obelisqet gri ngujuar si murgjër
qiellit i luten, dheut i falen
të paqtë kurrë s’e bënë dot gjumin
të rënët për liri në motin e largët
Për një botë të re nënat ç’i rritën
përgjakur shpirtin e dhanë luftëtarët
të vërenin prapa të pamundur e kishin
ndryshe do shfaqeshin të tyret fantazma
Të gjallët për gjykim nga hijevdekjet
pse fuqi diktatori i lanë Komisarit
ëndërr botë e re, liria nën terr
pse etër e bij u mbytën në pranga
Vendimi do ish llahtar e kataklizmë
gjërat në gjithçka do e ndryshonin rendin
për cënim idealesh të luftës martirët
të pavlefshme do i shpallnin edhe themelet
Lirihumbësit në ikje me dekoratat krejt
si të zënë prej gjakut të të rënëve
përvjetorve të çlirimit veç një shkëlqen
sublimja mungesë e vajit të nënave.
Skënder Guma
