Një vello për ty – Sokrat Habilaj
Një vello për ty
Tek një kabinë, ti rri në pritje,
Pret zërin tim, në male humbur.
Nga stolat rreth, për ty pëshpëritje.
Faji është yti. Je e bukur!
Ti shikon nga vetja gjithë ndrojtje
Po dhe kaq e trembur nga ata sy.
Nuk ka faj vetëm bukuria jote,
Faj ka dhe ajri që mbështjellë ty.
Unë malin do ta kap nga mjekra,
Dhe do ta tund me inat si murg.
Për të mbuluar ty nga e keqja,
Ca flokë bore do dërgoj në jug.
Bora e bardhë të ulet si flutur,
E të të mbulojë krejt mbi krye.
Sinqerisht them, ti je e bukur!
Të duhet një vello nusërie!
E ashtu me vello dhe pse ke faj,
Do ta kuptojnë se ti do një tjetër.
Unë do qesh si dhëndër në pllajë,
Duke e tundur malin në mjekër.
[ Sokrat Habilaj ]