August 10, 2024

Prej vitesh s’u pamë – Kujtim Hajdari

Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

PREJ VITESH S’U PAMË

Ishim vetëm miq dhe si miq u ndamë,
Edhe vitet rrodhën e më nuk u pamë.
Kush i shihte zemrat, shpirtit kush i fliste,
Ku diçka e ëmbël filloi të buiste?

Në mërgim harruar për vite të tëra,
Malli na brejti, mendimi na plaku,
Kërkoja të të harroja, çfarë s’bëra,
Po ti më përflakje edhe për së largu.

Zërin ta dëgjoja përherë më pranë,
Korijeve të shpirtit bilbilat s’të lanë,
Edhe larg, ku ishe, të ndillnin me mall,
Flakë i vinin zemrës në katër anë.

Ç’ishte kjo sëmundje, ç’ishte kjo kolerë,
Si një rob lufte ndihesh aq i mjerë?
Bota zvogëlohej e bëhej një pikë,
Kur të sillja ndër mend sy edhe qerpikë.

Më shkruaje shpesh me zërin e dhimbjes:
“Oh, sa larg jemi, sa shumë kohë shkuan,”
Më vinte si plagë zëri përtej Lindjes,
“Sa na mungojnë gjërat, vitet që u shuan.”

Në dherat e huaja, në fund të botës,
Dëshpërimin pije me kafenë e ditës.
Me vrap erdha si një bir i sqotës,
Shpirtin të të mbushja me rrezet e dritës.

Zëri yt i ëmbël më ndezi plot këngë
Më solli pranverë, më zhduku çdo brengë,
Lumturinë pa fund më ktheu përsëri,
Kur të shoh shpirtin rënë në qetësi.

Lërmë te sodis dhe ta ngre në diell,
Fytyrën e ëmbël, buzëqeshjen si ar,
Lërmë të shijoj një copë nga ky qiell,
Ku brenda syve të ka çelur behar.

Lërmë të të shkund gjithë atë trishtim,
Dallgët le të shuaj shpirti në tërbim,
Në brigjet e mallit që aq shumë na dogji,
Dashurinë e madhe që rriti, që poqi.
(Nga libri “Do të vij natën”)
KUJTIM HAJDARI

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com