Varr i hapur – Violeta Kadriu
Varr i hapur
Varr i hapur qe shumë vjet
Trupin tand, o vëlla e pret
Kështu hasmi e fshehu krimin
Lufta jonë i dhashtë dënimin!
Qe sa vjet erdh, shkoi behari
Vajtoi zogu skaj këtij varri
Toka amë s’pati qetësi
Tuj kërku trupin e tij.
Ah, mor vëlla, i dashtun vëlla
Tuj t’ë shpu plumbat me sy t’kam pa
Me gjak tokën tuj e ujitë
Këtë nanë loke që të ka rritë!
Shkau i egër ku të degdisi
Flakë i kuq kur t’u ba plisi?
A të rrokë breshëri, a të rrahë era
A e ndjenë or vëlla kur vjen pranvera?
Sa herë shokët të vijnë në derë t’konakut
Shpeshherë ulen skaj oxhakut
Nëna loke u rrin në kambë
Zemra e saj lëshon ofshamë.
S’ia don zemra, s’ia pranon
Se s’je gjallë më, kur i thonë
është betuar se s’ka me vdekë
me trup tandin pa u përpjekë.
Mos qajë nënë e mos qajë motër,
se një nuse u kam sjellë në votër,
me shokë shumë, gjithë të pandarë
në qdo votër e kemi shpërndarë!
-Po, or vëlla, nusen na e solle
me gjak tëndin në KOSOVE e mbolle,
është LIRIA, kuqëlon prej gjaku
nuk lejon armik të afrohet tek pragu!
Me respekt e dhimbje për të gjitha nënat e motrat kosovare që kanë humbur të bijtë dhe vëllezërit në Luftën Çlirimtare të Kosovës. — Violeta Kadriu, Podujevë.