Të turperojnë bir, të turpërojnë… – Lumo Kolleshi
Nga cikli :”Biri im që nuk linde”
Të turperojnë bir,të turpërojnë…
Biri im,që nuk linde
E sytë nuk ia pe këtij dielli,
Këtij dielli që më shumë na pjek e na djeg,
Se na jep jete,
Bëre mire që mbete vetëm në ëndrra.
Sot mund të ishe dhe ti një maturant si gjithë të tjerët,
Si gjithë të tjerët dhe ti do të kishe vënë një maskë te goja e te hundët,
Si gjithë të tjerët dhe ti do të jepje provimin e letërsisë,
Pas provimit do t’i urreje të gjithë Lasgushët,
Do të më urreje edhe mua sigurisht.
Do të më urreje edhe mua,
Që çdo fjalë me dhimbje e kam nxjerrë nga pluhuri i shkumësit,
Nga pagjumësia,
Nga zemra që jetë i jep pulsit,
Nga idealja e kozmosit,
Nga gjithësia.
Të gjitha do m’i përplasje në surrat
E do të më thoshe:”një baba tinzar,fytyrë që ndërron veç maska”.
Me dhimbje do ta përjetoja atë fat,
Përderisa mbi kokë kam ca laraska.
Biri im, që nuk linde,
Bëre mirë që nuk erdhe në këtë jetë të trazuar,
Së paku nuk arrite ta shihje fytyrën time
Në pleqërinë e mendimit të shpërfytyruar.