Pëllumb i bardhë – Lumni Nimani
Pëllumb i bardhë
O engjulli im, m’erdhe si fjollë dashnie!
Sa ëmbël m’ekzaltuan buzëqeshjet tuaja
Oazë ku m’pushon zemra, n’këtë botë zilie,
është vet shpirti yt i mirë që për të vuaja!
Qëkur të njoha flutur, më bekoi perëndia.
N’shikim t’parë më dehe, pa pirë pikë vere.
O bukuri hyjnore, m’i morre mendët e mia!
N’atë ditë të uruar – n’këtë fillim pranvere.
Se si më kaploi, drithërimë e dashurisë,
kur aq ëmbëlsisht, o xhan m’përshëndete,
për pak m’u ndal zemra, vashë e Arbërisë.
Desha të fluturojë, pëmbi mal dhe dete.
Dhe ta lë pas, këtë mërgim të mallkuar,
që vitet më të bukura, m’i vodhi, m’i treti.
Me ty dua të jem, në atë tokë të bekuar,
se shpirtin ma thau, ky i shkretë kurbeti.
Në daç në Tiranë; o në daç në Llapin tim!
Ku ta do zemra, bashkë t’ngrejmë folenë!
Oh! Nga lektisja që kam, jam në ngashërim
për sybukurën time dhe për atdhe(u)në.
Të fala me shëndet, atyre vendeve t’mia!
O pëllumb i bardhë kur t’shkosh fluturim,
për fushat e malet që m’i ka Shqipëria,
dhe për vashën time, nga çuni n’mërgim.
Lumni Nimani
29. 05. 2020.
Gjermani