Syri që t’shikon – Xheladin Halili
SYRI QË T’SHIKON
I mahnitur nga Adriatiku
Para një syri që t’shikon
Një syri të kaltër e shkëlqyes
Që kur u krijove atë e mbanë çelë
Pambarimisht rri zgjuar
Me qepalla të mëdha përreth
Kaltërsia jote pasqyrim qielli
Herë-herë i valëzuar na vjen
I shkumëzuar me të bardhën
Edhe natën bardhësinë ta shoh
A s’je ti vetë sinonim jete
A s’je farë e jetës kudo
Nga ti morëm jetën e gjallërinë
Të shikojmë pareshtur o Symadh
Ti që i përpinë shikimet tona
Ç’sy mund të shoh më shumë se ti
Seç më ke pushtuar të tërin
Edhe dashuritë më të mëdha
I dorëzohen dashurisë sate
Po flas i heshtur me ty
Se e folura yte tejkalon gjuhët
Se nga ty kam dhe unë jetë
Prandaj s’flasim dot me ty
Ti je gjuha që e kuptojmë të gjithë
Por s’mund të flasim tënde gjuhë
– Xheladin Halili
Shëngjin, “Rana e Hedhun”
Gusht 2019