August 6, 2024

Thesar i shqipes – Lumni Nimani

Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

Thesar i shqipes

Sa e amël fjalë e shqipes,
n’atë të folmen e Gegnisë.
Kjoftë për ndjenja t’bukura zemre;
kjoftë për kangët e trimnisë.

Oh sa e bukur fjalë e saj!
Sikur mjalti kur pikon.
Bash si kanga e bylbylit.
Amël shpirtit i tingëllon.

E kthjelltë si vala e Valbonës;
e bardhë si vala e Drinit të Zi;
e qetë si Llapi im i Kosovës.
Me shkrimet e para je histori.

E folme e moçme sa vet deti,
qysh prej Lekës zulmmadh.
E Kostantinit dhe Mbretit Pirro,
dhe e perandorit Justinian.

E mprehtë si shpata e Kastriotit,
kur dëgjohet në kangë t’lirisë;
e kandshme si mjaltë hojesh,
kur i këndohet me shpirt dashnisë.

E fuqishme si pushka e Ademit,
në ballë armikun kur e godet.
E saktë si dora e Zahir trimit,
për Atdhe kur hasmin vret.

Si dy krena që i ka shqiponja,
me një trup, e me një zemër.
Dy dialekte ka gjuhë e jona,
na jep nder dhe na jep emër.

Lumni Nimani
05. 07. 2020

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com