Marsi i turpëruar – Ildije Xhemali
MARSI i turpëruar
U gjende prostitutë, jo s’e deshe ti
I ligu gjurmoi në naivitet e varfëri
Të premtoi punë, jetën si n’përrallë
Për të do ishe një lule e rrallë
E denjë për Miss, mbuluar me hijeshi
Të lulëzoje familjen, eh…kush tjetër si ti
Jeta, kurthe të pabesa të kish’ ngritur
Gonxhe e paçelur, tej detit vërvitur
Kush në sy mban syzet e të vërtetës
S’dallon dot metastazat e gënjeshtrës
S’njohe përkëdheljen, as dashurinë
Gjithë llumi në shpirt e mbi tënden shpin’
Punonjëse seksi, privuar nga mëmësia
Damkën e turpit, ta gëzojë shoqëria
Gjithë shtigjet t’u mbyllën, s’të lan zgjedhje
E braktisur, rrënuar po flet me vete
Poezi nga permbledhja e tretë me poezi “Lule mbi thinja”