Mua, s’me mund dot! – Eduart Veli
MUA,S’MË MUND DOT !
Qysh sa linda,jam ndeshur me ty,moj koha ime përherë!
Të munda,se linda në ditën e Ekuinoksit të parë në pranverë.
U përlesha me ty qysh i vogël,që kur isha ende fëmi i parritur.
Maleve të fshatit tim,mijëra herë,pas bagëtive u jam ngjitur!
Kur fare pak bukë kishim më dollapin e vjetër,ty prapë, s’ta pata frikën.
Tek”Lëmi i madh në Kurunë,me barkun bosh,ne lozëm”Taratitën”!
Në shkollën e fshatit tim,u përlesha me ty, s’më mbajte dot në hije.
Më opinga të çara e pantallona të arnuara,isha përherë në krye!
Eh sa u përlesha me ty në rini,shpirti im e di,por dhe zemra,që i ka shkruar.
Këngën dhe poezinë pata aleat,përjetësisht me to i dashuruar!
Dhe prapë më ndoqe në rrugët e jetës, kudo,në çdo qoshe e sokak!
U munda gjatë me ty, gishtërinjtë dhe fytyra më janë bërë me gjak!
Asnjëherë s’më munde dot,moj kohë,e s’ke për të më mundur kurrë!
S’më munde fëmijë e në rini,s’do më mundësh dot ,tani që jam burrë!
E di,të ka mbetur peng,që dot s’më munde dhe prapë, më fton në dyluftim.
Por prapë do të mund,se gjithë botën kam futur
në zemrën e shpirtin tim!
Më flasin çdo ditë rrugët e qytetit,malet, fushat
e fshatit ,më çojnë selam.
Ti je krejt e vetme,si hije ogurzezë,bir i thjeshtë
i Shalësit jam!
Nuk jam mësuar të jem në ring,nuk jam mësuar të më duartrokasin.
Gladiator i vargjeve të thjeshta jam unë ,vargjet e rrugët e jetës më thërrasin !
