August 3, 2024
Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

Letër malli

Jetojmë, jetojmë që të dy në një Republikë.
Padrejtësisht të larguar nga kjo ndarje e pathënë.
Ti je në regjimin e mantelbardhave në qetësi
E unë në klasë me nxënësit me brengën e rëndë.

Ti lufton me dhimbjen tënde si kreshnike moderne
E ne bashkë s`mundem me u pa tash kaq ditë
Në jastëkë gjumi ka marrë rrugën e reve
Eliksir e plazmuar në plotësinë time nuk dua boshësi.

Fetanete…diçka paluam bashkë dikur si magji që besohet.
Në skajin e viteve të shkuara mos ta lëmë kështu jetën
Se druaj se mos na arratiset kujtesa që malkohet
Se sërish dua të ta dëgjoj fjalën, ëndrrën shpresën.

Sekondat tani i masim me akrepat e heshtur
Sa ngadalë po kalon maji, ah, dhe qershori po kalon
Kur të vijë korriku të dua në në vrapin e etur.
Do ta gjerbojmë në kopësht kafen te lisi që bleron.

Po të presin lulet e kopshtit t’i vadisësh me mall
Do të shpërthejnë gonxhet që të kthehesh përsëri.
Nipërit e mbesat pyesin kur do i puthësh në ballë.
Se të duan, o Nënëmirë të të marrin në gji.

Nuk dua që ëndrra të mbetet në guackë.
Nuk dua të bëhem vëllam me frikën i fiksuar.
Kthehu sërish, moj e shëruar, e bekuar në prag.
Eja në prehërin e natës së bukur, të filtruar.

Në dhomat ka hapur krahët vetmia, Laleja ime
Pa foli foli qetë-qetë kthimit të shumëpritur
Foli sëmundjes me gjuhën e arsyes sublime!
Kthehu te shtegu ta ecim në rrugëtimin e nisur!

Dije, shpirt, se rruga e jetës ka shumë kthesa.
Thuaj sëmundjes të ikë se nuk e do në jetë!
Që bashkë ta zëmë sërish e të na zgjohet shpresa.
E nesërmja më shumë diell për ne do të ketë.
Speyer, 5 qershor 2020

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com