August 10, 2024
Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

PËRNJËMEND JE DASHURI

( e shkruar me Katër Mars të Vitit që Ikën )

Nuk është pak për t’ardhur në jetë
fundit të një Stine të bardhë
duke i çarë ngricat e shpirtit
përmes vajit të parë

Pastaj ta nisësh një shekulli të ri
me zjarrëmblën dashuri
ku Fati yt puqet me të Pafatshmin e Gëzuar
e dashurohet në të çmendurisht
si në ëndrrën që shihet e s’nxinet

S’pushon së dashuruari
as kur Njeriu i ëndrrës sate vonohet
harron për t’u kthyer
a për të prekur mbi supe si flutur

Do ta duash pareshtur në mungesë
edhe pas vdekjes do ta presësh
do të kujtosh se aty diku e ke
njëjtë si qenien tënde me emrin Dora
si atë shpirt vezullues prej Diamanti

Përnatë i falesh Yllit që quhet Franc
e ia shpalon të fshehtat nëpër Kafka
në një stacion treni që shkon e s’ kthehet

Nuk brengosesh për motet që tresin
për t’përkohshmen jetë
që s’ngopet me dhembjen

Nga pritja nuk heq dorë
nga ajo shpresë që dritëson shpirtin
e nuk shuhet

Rron Ti
rron deri në pafundësi
se përnjëmend je dashuri

( 4 mars 2013 – 8 gusht 2020 )

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com