Fjalët e gurëzuara – Brahim Avdyli
Brahim Ibish AVDYLI:
FJALËT E GURËZUARA
1.
Duke menduar fjalët
më shfaqet
bota e tyre
në një bjeshkë mendimesh,
e shoh Diellin
që mbi to i then rrezet
sa për ta përtrirë veten…
2.
Në cepa të zanoreve
na preheshin fjalët
e nxirreshin
me dalta të bashkëtingëlloreve
aq sa e duron
Zemra e Gurëve,
pastaj ngriteshin në kala
në mes të shkretëtirës
ku askush nuk mendon
se ka mermer
që buzëqesh diellisht
me të pamundurën!
Të vërtetat i nxjerr
edhe prej pluhurit të rërës
për të mbrojtur të drejtën
pikë për pikë drite!
Aty ku nuk ka uj
për të shuar etjen
buzëve të logarisë
pikë shpirti i bardhë
një krua të rrallë zemre…
3.
Kështu
është e gurëzuar fjala
që njëherë thuhet
e nuk zhbëhet
edhe pse disa herë paramendohet
si fjalë e pathënë,
vjen koha që të jenë
bjeshkë mendimesh,
e askush nuk matet me to!…
06.10.2019