Muzës – Xhevdet Bajraj
MUZËS
Po të isha guri
që e ruan zjarrin në fund të oqeanit
apo lis në pyje të pashkelura
që kurrë s`ka parë njeri
që i pret zogjtë
të cilët po ashtu kurrë nuk kanë parë njeri
Po të isha kafshë e egër që vrapon
pranë lumit
në një përrallë
që po ia tregon nipit
gruaja që jeton
në shtëpinë numër gjashtëdhjetë
në një rrugë brenda zemrës sime
Po të isha kokërr misri në arën e gjyshit
e cila në dimër do të shtrohej mbi sofër
Po të isha kokërr molle
që vazhdon ta ruajë kujtimin për parajsën
Apo të isha kafe e zezë e freskët
që pret t’u shërbehet
një çifti të dashuruar
A të isha
vath në veshin e gruas që ëndërron
e shtrirë mes vargjeve të mia
do të ishte gjithçka ndryshe
por jam vetëm një njeri i zakonshëm
në fund të aventurës që e quajnë jetë
dhe u ula të pushoj pakëz
ta pi një birrë
ta pi një cigare
Derisa gjethet e fundit të lisit tim të jetës
dridhen në erë
pres
t’ia heq vathët asaj gruaje
ta puth edhe një herë
e të vdes
“Unaza e Saturnit”, Sh. B. Armagedoni