Ma bën me dorë – Kujtim Hajdari
Ma bën me dorë
Liqenin zgjojnë nga dremitja e thellë,
Krahët e një zogu që ngrihet n’fluturim,
Rrezja e bukur që përtej malit, kur del,
Ma bën me sy e më thërret në takim.
Flluskat e ujit më përkëdhelin akoma,
Siç më vjen nga lulet, e freskët aroma,
Ti, ëmbël, ma bën me dorë, rinia ime,
Buzë liqenit e majë kodrës me dhimbje.
Në ujërat e kthjellta dukesh e zhdukesh,
Ku shëron plagët me lotë si nimfë e praruar,
Dhe në majë kodre ftoh e qetësohesh,
Nga hallet e mundimet ballin e përvëluar.
Ma bën me dorë sa herë më rikthehesh,
Dhe mua vitet më shkunden nga shpina,
Ti, n’varret e harresës kurrë nuk do prehesh,
Gjithmonë do vish bukur siç vjen Gjeraqina.
Kujtim Hajdari