August 7, 2024

Dëshirë e dashurisë – Muça Vladimir

Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

Një përshëndetje këtë mëngjes Janari me një tufë lirikash për të ngrohur sado pak shpirtin e trazuar nga tollovitë politike
DËSHIRË E DASHURISË
Do doja të isha liqen i kulluar,
Yjet dhe hëna në te të lanin sytë;
Ti të ishe diell i pasqyruar
E unë të kridhesha në te çdo ditë.

Të isha një burim rrëzë mali
E të mos gjëndej një i dytë;
Ti të vesoje mbi te nga malli
E si një lule të hapje sytë.

Të isha një bush i gjelbër
Rrumbullak,nën një gëmushë,
Ndërsa Ti një trëndafil i egër,
Që rreth me kuqëlim e mbush.

Të isha një kokërr gruri
I strukur në lëmin e gjërë,
Ku jeta egër më pruri,
Ti si një zog më gjen mënjëherë.

SHIJAKU
Mbi lumë dritat vezullojnë
Nën hekurat shembur 44-trës.
Me hijet e këmbëve që latohen
Kridhet qyteti në mjegullën e kaltërt.

Mitra Erzenit ndër kthesa rënkon,
Zogjt e shpirtrave me çuditë e natës;
Ashiku diku nën hije përgjon
Dashurinë ndezur si zhegu vapës.

Si”Goca t’bukura nga Shijaku”
Shtojzavallet zallishtëve erëmojnë;
Peng mbajnë hënë dhe yje
Si Zoicat * mbi rrymë kaplojn.

Sytë e Erzenit shkëlqejnë vetimthi
Kur më kundrojn në krahët e trishtë;
Nudot e virgjëra në studion e Agimit
Me ngjyrat e ndezura t’bajames brishtë.

* Zoics Haxho balerinë e njohur shqiptare
** Agim Faja piktor i njohur shijakas.

I FUNDIT
Mbeta i vetëm,
Këtu ska njeri
– Thosh me vete banor i fundit
Tek ikte
Me sytë e buavitur.

Nga pas
Fshati i të vdekurve
Duart e lutjeve
Kish nxjerr nga varret:
– Mos ik!…Mos ik!…Mos ik!…

MALLI PËR KOLZËN
Që larg,
Manit të Kolzës
I shtrij dorën fëminore.
Ai, i pjekur, mes arës
Memec,
I vetmuar.

SHPIRTI GJINKALLË
Tek rrapi yt
U çmalla Libohovë,
Mëngjesit Qeshorit.
Vetiu,
Shpirti
M’u kthye në gjinkallë.

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com