E shkreta vjeshtë e vargjeve – Brahim Avdyli
Tani, i bëra gjashtëdhjetë vite dhe kjo është datëlindja e veçantë e vargjeve, sepse pos vargjeve e librave, pothuajse asgjë nuk gjeta dhe nuk mund ta bëja në piedestalin e kohërave, pos nipave e mbesave. Këtu, ju pështjelloj pak me melakolinë e trishtë të gjashtëdhjetë viteve të rrotulluara në rrotullnajen e madhe të fatit. E marr me mend se kur shpirti im ka zbritur prej altarit të shpirtave për ardhur në këtë botë, në jetë, i kam zgjedhur laps e letër nga arena e madhe e mjeteve. Më është dukur me lehtë për t
i marr me vete, por nuk e kam menduar se 5 shtatori ishte vjeshtë e trishtë e vargjeve, në mesin e shqiptarëve, të sakatuar, në të gjitha anët. Nuk e dija se kjo gjë ishte shumë e rëndë për të kalur nëpër gjithë këtë vorbull; për ta parë, dëgjuar e thënë përsëri të vërtetën e dhembjes sime, madje të njerëzve përrreth meje!
Uromani, si të duani datëlindjen e gjashtëdhjetë, por lexoni e mos qani me këto vargje të tretura! E kam regjistruar edhe këtë ndoshi të veçantë në kalendarin e vargjeve të mia. Në vjeshtë, korren të mbjellurat. Kam ardhur në fillim të saj. Kam mbjellë vargje; kam shkruar libra, dhe i kam qëndruar jetës sonë besnik e kujdestar, pa marrë asgjë të mirë për veten, sepse Zoti im i Madh, Zoti i Dijes, Merkuri, këtë gjë e gjykonte si të mirë dhe e dëshironte:
Brahim Ibish AVDYLI:
E SHKRETA VJESHTË E VARGJEVE
(E korigjuar pak para botimit si libër)
Vjet i lash në fillim të shtatorit
pesëdhjetë e nëntë vitet e rjepura
gjatëdhjetë vite të copëtuara
bëhen sivjet në korniza dhembjesh
vjeshta përsëri fshikullon gjethet e lotëve
me gjollin e tyre të tharë
në qiellin e zemrës sime fillojnë
rrepëtimat e tyre të përpëlitjeve
saherë e kanë mjegulluar shiqimin
nëpër bebëzat e vetmuara të këngës
ku të dal prej vetes nëpër unin e shtjerrur
nga çastet e vrara…
Gjashtëdhjetë herë sillet
vorbulli i vrapimeve pas një grimcë fati
as të zë bulëzimin e këngës me lulet e para
të pranverave të djegura
e ku të sillem e pështillem tani
nëpër notat e pa fund të elegjive
vetëm, fillikat vetëm më lanë
çdo herë kukuvajkat e zeza të këngëve
pak kush nga fëmijët e zemrës sime
të plasur pas tyre më vjen dhimbshëm
shikoj, por kot shikoj dhe plas
me dënesat e vargjeve të çmendura
ndonjëherë rrallë i shoh
për të shtruar bashkë pehlinin e viteve
shkapërdherdhur janë, të ndarë, të ndrydhur
e të shukatur nga zërat e vjeshtës…
Askund nuk mund të kthej kohën
në drejtimin e duhur të shpirtësisë
edhe pse i mendoj me lot në faqe
mugullimet e tyre pranverore,
asnjëri nuk ka guxim të më jap një mat
midis psherëtimave të mia
kush e di se cilat pëshpëritje të erës
i ndalin mbi gjethet e thara të fjalëve
janë kthyer në furtunat e tmerrshme të viteve
largë prej ndjenjës së gjallë
e ato më përcjellin kudo me trishtimin e errët
të dorës magjike të stinës…
O Zot i Madh, a ka fuqi zemra ime e trishtë
të sjellë gufime të gjakut
laps e letër i kam marrur me vete
para se të pushojnë rrebëtimat e shpirtit
ku u linda apo rashë nga qielli i juaj,
nga kozmosi, pa anë e yje, terrinë
ne të dytë, unë dhe kjo stinë,
i sillemi botës anë e përtej me gjollet si hije
stina e shkretë e këngëve melankolike
fillon përsëri të ndjehet
e shohim tek bie, aty e këtu, me gjethet vërdallë,
nëpër rrjeshta të këngëve
mua nuk më përfillin ata që pëshpërisin
fjalët e nënshkruara hapësirës
e i thonë si t`i kenë marrur
në ndonjë çast papritmas nga kupa e tyre…
Kë të pyes, e shkreta apo e zemërplasura vjeshtë,
a jam unë apo ti autori i përkryer
i dhembshurisë së viteve
të pyes ty, e përgjegjen e pëshpëritë,
por nuk e dëgjoj-
jam vjeshtë e trishtë e pikëllimeve të vargjeve!…