Do vij tek ty – Delo Isufi
DO VIJ TEK TY
Do ta hedh festen mbi sy,
Dhe mbi supe një bërruc,
Që nga larg do vij tek Ty,
Do të sjell një mal me prush.
Unë do vij fare i thinjur,
Krrusur nga malli mbi supe,
Do puth dheun ku jam lindur,
Ku të njoha Ty moj nuse.
Ti je rreshkur unë e di,
Lodhur nga pritja e gjatë,
Bashkë do jemi përsëri,
Do jetojmë të dy në fshat.
Unë e di moj shpirt e di,
Sytë nuk të bëjnë gjumë,
Më prit nuse unë do vij,
Më ka marrë malli shumë.
Jam i huaj në dhè të huaj,
Do kthehem aty në fshat,
Do korr grurin duaj- duaj,
Arën do punoj me shat.
Me opingë do e pi rakinë,
Vënçe do i’a marrë një kënge,
Për Ty do e ngre dollinë,
Moj nuse për kokën tënde.
Sado fukarenjë të jemi,
Dashurinë pasuri kemi.
Delo Isufi, botuar
Feste – kësulë (kapele) prej cohe, rrobe.
Bërruc -gunë, shark, e mbajne çobanët në dimër.
Duaj – dorëza gruri të lidhura bashkë.
