Udha drejt teje! – Manushaqe Hoxha Laçi
Udha drejt teje!
Kam parë të lindë diellin dhjetëra e dhjetëra herë.
Kam prekur e shijuar pafundësi lulesh me aromë.
Por kur lexova shpirtin tënd mora mijëra diej
e më përkëdhelën lulet më të bukura në botë.
Kam ecur në rrugë të baltosura me hapin mbi gurë.
U jam lutur yjeve të më plotësojnë ndonjë dëshirë.
Por kur preka shpirtin tënd u vendosa brigjeve urë
e kurora yjësish m’u formuan në dorë e në sy.
Kam shëtitur mbrëmjeve mbi rërën e lagur në bregdet.
Pulëbardhat që notonin i kam ushqyer në dorë.
Por kur të njoha shpirtin për mua u bëre mbret
e jeta në udhë më vendosi si dhuratë një kurorë.
Kam parë sytë e hënës me vështrimin e ndrojtur.
Me buzët që më dridheshin bisedonim çdo natë.
Por kur të gjeta u ktheva në kështjellë të pamposhtur
bedenë kalaje, si shqiponjë në udhëtimin e gjatë.